Kurti: Çështja e të zhdukurve është kryefjala jonë në secilin raport me Serbinë

Kurti: Çështja e të zhdukurve është kryefjala jonë në secilin raport me Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Pagjetur, tha se kryefjala në secilin raport me shtetin e Serbisë është çështja e të zhdukurve nga lufta e fundit, njofton Insajderi.com.

Ai para mediave theksoi se s’mund të ketë të ardhme të qëndrueshme dhe të sigurt “nëse nuk i adresojmë çështjet e të kaluarës.

“Në këtë ditë në të cilën ka më shumë ankth se sa pikëllim, meqenëse 1 mijë e 632 persona nga Kosova vazhdojnë të jenë të pagjetur, vazhdojnë të mos e kemi të zbardhur fatin e tyre. Në raportet  e tona me Serbinë, çështja e të zhdukurve është kryefjalë”, tha shefi i qeverisë.

Ai bëri thirrje që në të gjitha tryezat që organizohen në arenën ndërkombëtare, së pari të kërkohet nga Serbia të hapen arkivat.

“Serbia refuzon të ballafaqohet me të kaluarën, bëj thirrje që në të gjitha tryezat që organizohen në arenën ndërkombëtare, pikë së pari nga Serbia të kërkohet hapja e arkivave. Vrasja e shqiptarëve pastaj varrosja e zhvarrosja e tyre në Kosovë, bartja e tyre nëpër varrezat në Serbi, zhvarrimi prej atje, nuk është bërë nga qytetarët e zakonshëm, por nga aparati shtetëror”, shtoi Kurti.

Ai këto komenti i bëri pasi së bashku me presidenten, Vjosa Osmani, vendosën kurora lulesh te lapidari i personave të zhdukur në Prishtinë./Insajderi.com