
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka dënuar sulmin ndaj ushtruesit të detyrës së kryeshefit të ndërmarrjes “Trepça”, Enis Abdurrahmani dhe drejtorit të administratës, Besim Haxhiu, në zyrat e kësaj ndërmarrjeje, transmeton Insajderi.com.
Pas vizitës së tij në “Trepçë” bashkë me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në një adresim për media, Kurti u zotua se nuk do të ketë asnjë individ apo grup më të fuqishëm se shteti.
“Na vjen shumë keq çfarë ka ndodhur, një sulm i organizuar dhe i dhunshëm, dhe me këtë rast e dënojmë ashpër këtë sulm të tillë i cili është drejtuar kundër ‘Trepçës’. Ata të cilët synojnë të jenë më të fuqishëm se shteti bien ndesh me ligjin”, ka thënë ai.
“Jemi republikë dhe demokraci, jemi qeverisje e mirë, andaj ushtruesi i detyrës së shefit, Enis Abdurrahmani, e ka mbështetjen time të plotë bashkë me zotëri Bahriun, kryesues i bordit”, shtoi Kurti.
Kurti më tej shfaqi edhe kërkesën e bërë nga këshilli grevist që ata të cilët e kanë pësuar dhunën e atij grupi prej disa njerëzve ende të paidentifikuar, t’i tërheqin deklaratat të cilat i kanë paraqitur në polici.

Kryeministri Albin Kurti në Trepçë

Kërkesa e Këshillit Grevist të ndërmarrjes ‘Trepça’
“Këshilli grevist ka bërë kërkesë që ata të cilët e kanë pësuar dhunën e atij grupi prej dhjetëra njerëzve që nuk dihet ende kush janë të gjithë, këta të cilët i kanë paraqitur deklaratat në polici, t’i tërheqin ato”, ka thënë ai.
“Nuk iu ka mjaftuar që e kanë sulmuar drejtorin, por me kërkesa që këta tash t’i tërheqin deklaratat, kjo nuk do të ndodhë. Edhe bordi aktual edhe ushtruesi i detyrës së shefit e kanë mbështetjen të ministres Rizvanolli, timen dhe të Qeverisë, edhe punëtorët. Por i ftojmë që të mos bien pre e një këshilli grevist i cili kërkon që të tërhiqen deklaratat e dhëna në polici”, shtoi më tej Kurti. /Insajderi.com