Deklarata e ish-liderit të Vetëvendosjes Albin Kurti në Tiranë, se për shkak të zhvillimeve të tensionuara, në Ballkan mund të krisë lufta, ka nxitur reagimin e presidentit Hashim Thaçi që e ka quajtur këtë deklarim që vjen prej “një personi që ka humbur arsyen”.
“Fatkeqësisht, zëra të tillë të vetmuar që kanë humbur arsyen ka edhe në Kosovë. Prandaj konsideroj se pretendimet dhe thirrjet e tyre për luftë dhe konflikt aq sa janë qesharake, absurde, ato janë të rrezikshme dhe të papranueshme”, kishte thënë Thaçi, për Express.
E nuk ka vonuar reagimi i Kurtit.
“I ashtuquajturi president i Kosovës, përveç tjerash, paska thënë që deklarata e Albinit është njëkohësisht edhe qesharake edhe e rrezikshme. Si mund të jetë qesharake diçka që është e rrezikshme?”, ka thënë Kurti.
Madje ai e ka quajtur presidentin edhe teveqel.
“ Po, pra, qenka e mundur atëherë kur injoranti ordiner të instalohet si ‘president’. E pranoj që znj. Jahjaga na paska qenë më e logjikshme se ky teveqel”, ka thënë Kurti.
Tutje sipas ish-liderit të VV-së, dështimi i ratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi më 1 shtator 2016, atë marrëveshje të 26 gushtit 2015, “e vulosi si marrëveshje personale të Thaçit”.
“ Tash, le ta varë atë dokument tradhtie e krimi në mur të tij, ky që do të duhej ta mbante atë si aktakuzë në qeli burgu.”, ka thënë Kurti.
Të martën mbrëma Kurti ngjalli debat pasi në një takim në Tiranë paralajmëroi se “më shumë ka gjasa që të ketë luftë, sesa që të mos ketë luftë”./Insajderi.com