Pas takimit të katërt të Këshillit të Stabilizim Asociimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës, Kryeministri Albin Kurti, është pritur në takim nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Gjatë këtij takimi është diskutuar për procesin e integrimit të Kosovës në BE, domosdoshmërinë e liberalizimit të vizave për kosovarët dhe bashkëpunimin në mes të vendeve të rajonit në kuadër të Procesit të Berlinit.
Në takim morën pjesë edhe zëvendëskryeministri për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi dhe zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Donika Gërvalla-Schwarz.
“Kryeministri ia shprehu Von der Leyen mirënjohjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës për mbështetjen që Bashkimi Evropian ka dhënë për zhvillimin e vendit”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
“Kryeministri Kurti e njoftoi për reformat e ndërmarra në drejtësi, për angazhimet e qeverisë në fushën e sundimit të ligjit, luftën e pa kompromis ndaj krimit dhe korrupsionit, si dhe reformat kyçe për zhvillim dhe përafrim me Bashkimin Evropian”.
“Ai e njoftoi Presidenten e Komisionit Evropian për rritjen ekonomike, rritjen e eksportit, të të hyrave tatimore dhe investimeve direkte në Kosovë”./Insajderi.com