Kurti diskuton me Kosnettin për dialogun para vizitës në Bruksel

Kurti diskuton me Kosnettin për dialogun para vizitës në Bruksel

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, ka njoftuar se ka pasur diskutim të gjerë dhe siç e ka quajtur ai produktiv, me kryeministrin Albin Kurti dhe diplomatin amerikan Matthew Palmer lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, përcjell Insajderi.

Kosnett në llogarinë e tij në Twitter ka shkruar se dialogu i mbështetur nga Bashkimi Evropian mbetët thelbësor.

“Mbrëmë patëm një diskutim të gjerë, dhe produktiv me kryeministrin AlbinKurti dhe Matt Palmer të Departamentit të Shtetit. Procesi i dialogut i udhëhequr nga BE mbetet thelbësor për suksesin ekonomik të Kosovës dhe integrimin Euro-Atlantik”, ka shkruar ambasadori amerikan.

Ky diskutim është bërë një ditë para se kryeministri Albin Kurti të niset për Bruksel, ku do të ketë takime me instanca të larta të Bashkimit Evropian si dhe me kreun e ekzekutivit belg, Alexander De Croo.

Kurtin do ta shoqërojë kryediplomatja, Donika Gërvalla si dhe zëvendësi i tij, Besnik Bislimin.

Me Bislimin javën e kaluar është takuar me të dërguarin special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

Lajçak, javën që shkoi është takuar edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe do ta ketë një takim edhe me Kurtin.

Këto takime vinë në një kohë ku po qarkullojnë disa dokumente për “epilogun” e çështjes së dy vendeve të Ballkanit Perëndimor./Insajderi.com