Kurti: Do ta mirëprisnim vendimin e Greqisë për njohjen e Kosovës

Kurti: Do ta mirëprisnim vendimin e Greqisë për njohjen e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, thotë se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Greqia do të ishte dëshmi se Athina është e gatshme të luajë rol udhëheqës rajonal në Ballkan, njofton Insajderi.

Kështu është shprehur ai në një intervistë për gazetën greke “To Vima”, duke thënë se Kosova dhe Greqia duhet të forcojnë marrëdhëniet e tyre të pavarura për shkak të historisë së përbashkët, qëllimit të përbashkët të stabilitetit të paqes në Ballkan dhe të ardhmes së gjatë të përbashkët.

Kryeministri Kurti, i cili së fundmi ishte në Athinë për konferencën e “The Economist” dhe pati një takim të shkurtër me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis, është shprehur qartazi kundër një shkëmbimi territorial me Serbinë dhe kundër rivendosjes së kufijve në Ballkan. Ai gjithashtu thekson se statusi i Kosovës është vendosur përgjithmonë dhe se dialogu me Beogradin ka të bëjë vetëm me marrëdhënien e ardhshme midis dy vendeve.

“Ne i jemi mirënjohës Greqisë për mbështetjen e saj dhe qëndrimin pozitiv ndaj Republikës së Kosovës në proceset e integrimit si në rajon ashtu edhe Evropë. Ne e vlerësojmë shumë qëndrimin konstruktiv ndaj vendit tonë, qëndrim të cilin Greqia e ka dëshmuar përsëri me mbështetjen e dhënë në favor të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Greqia duhet të jetë me popullin e Kosovës dhe të ofrojë mbështetjen e saj. Greqia dhe Kosova duhet të forcojnë marrëdhëniet e tyre të pavarura për shkak të historisë së gjatë të përbashkët, qëllimit të përbashkët të stabilitetit dhe paqes në Ballkan dhe të ardhmes së gjatë të përbashkët”, ka thënë ai.

“Kosova dëshiron të ndërtojë mbi lidhjet historike midis popujve tanë dhe të forcojë marrëdhëniet vëllazërore afatgjata me Greqinë, një element i rëndësishëm i stabilitetit rajonal afatgjatë. Ne e vlerësojmë shumë mbështetjen e Greqisë. Duke pasur parasysh peshën e Greqisë në rajon, si dhe frymën e bashkëpunimit në rajon, ne do ta mirëprisnim vendimin për njohjen e Kosovës. Njohja do të ishte dëshmi thelbësore e rolit udhëheqës në rajon që Greqia duhet të ketë. Marrëdhëniet ekonomike Kosovë-Greqi janë duke u forcuar. Kjo dëshmohet nga forumi virtual ekonomik i organizuar nga dy MPJ-të përkatëse në muajin prill të vitit 2021. Ka ende hapësirë për rritjen e shkëmbimeve tregtare midis dy vendeve”, shtoi Kurti.

I pari i Qeverisë ka folur edhe për dialogun Kosovë – Serbi, duke thënë se Serbia duhet të distancohet nga regjimi i Millosheviqit.

“Kosova kërkon t’i zgjidhë çështjet e pazgjidhura me fqinjët përmes dialogut. Ne do të kemi mundësi t’i rregullojmë marrëdhëniet në Ballkan vetëm me një dialog parimor dhe të përgatitur mirë, të bazuar në vlerat evropiane. Pavarësia e Kosovës është trembëdhjetëvjeçare. Që nga vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në vitin 2010, që vërtetoi faktin se deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare, debati për shtetet është mbyllur. Unë nuk do të diskutoj statusin e Kosovës, as integritetin tonë territorial. Është çështje e zgjidhur. Nuk mund të lejojmë ringjalljen e projekteve të dështuara për shkëmbimin territorial e as të atyre për bosnjëzimin e Kosovës. Serbia tani duhet të distancohet nga regjimi i Millosheviqit dhe të mos insistojë që në një farë mënyre të vazhdojë t’i arrijë qëllimet e vjetra, me mjete të reja. Tema e vetme është marrëdhënia ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha Kurti. /Insajderi.com