Kurti: Do të luftojmë kundër kontrabandës me çdo çmim

Kurti: Do të luftojmë kundër kontrabandës me çdo çmim

Kryeministri Albin Kurti, deklaroi të enjten se Qeveria e Kosovës do ta luftojë korrupsionin dhe krimin “pa marrë parasysh se çka ndodhë”.

Duke folur për stabilitetin në Kosovë, komentoi aksionin e policisë kundër mallrave të kontrabanduara në disa komuna, përfshirë edhe veriun.

Për situatën e krijuar në veri të Mitrovicës, shefi i qeverisë tha se “kriminelët serbë dhe shqiptarë janë bërë bashkë”.

Aksioni në Veriun e Kosovës

Këto deklarata i bëri në Shkup, ku po merr pjesë në samitin e organizuar nga The Economist.

Kurti po ashtu potencoi se nuk do të mbështesin asnjë iniciativë të Ballkanit Perëndimor ku nuk bën pjesë edhe Bashkimi Evropian.

“Për një stabilitet institucional dhe sundim të ligjit, ne jemi duke luftuar korrupsionin dhe krimin organizuar, i cili është multietnik. Kriminelët serbë dhe kriminelët shqiptarë bashkëpunojnë shumë mirë mes veti. Ne duam dhe do t’i luftojmë ata pa marrë parasysh se çka ndodhë”.

Tha se ky aksion nuk duhet të politizohet, pasi sipas tij, edhe për zbatimin e të njëjtit ishin të përfshirë prokurorë serbë, por edhe policë të përkatësisë serbe.

“Mendoj se është shumë keq të politizohet lufta jonë kundër krimit. Duhet të bashkëpunojmë me të gjithë në Ballkanin Perëndimor kundër krimit të organizuar, i cili është shumë më i integruar sesa që jemi ne”, deklaroi Kurti.

Kryeministri në samitin e Shkupit deklaroi po ashtu se Bashkimi Evropian është fati dhe kontinenti i Kosovës, derisa kërkoi edhe fonde zhvillimore nga BE-ja./Insajderi.com