Kurti e Bulliqi e hapin fushatën zgjedhore në Podujevë

Kurti e Bulliqi e hapin fushatën zgjedhore në Podujevë

Kandidati për kryetar të Komunës së Podujevës nga Lëvizja Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi dhe kryetari i kësaj partie, Albin Kurti, kanë mbajtur sot konferencë për media, me ç’rast kanë hapur zyrtarisht fushatën për kryetar të kësaj komune, njofton Insajderi.

Bulliqi ka thënë se fitorja e LVV-së në Llap do të jetë hap i madh i ndryshimit, duke shtuar se gjatë këtij viti qytetarët do të shohin se si do të qeverisë Vetëvendosja.

“E di që partitë janë bërë bashkë, por nuk janë më shumë se qytetarët e Podujevës. Njerëzit kanë nevojë për subvencione, e që deri tash janë shpërndarë me të njohshëm, studentët kanë nevojë për bursa, shkollat në Podujevë kanë vetëm mure dhe tavolina, nuk kanë laboratorë as për lëndët shkencore e as edukimin fizik. Ky është mjerim”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se për një vit nuk mund të bëjnë mrekulli, porse do të ketë ndryshime të mëdha.

“Do të punësohen njerëzit sipas kritereve të përcaktuara me ligj”.

Ndërsa, kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka thënë se Bulliqi me integriteti profesional nuk ka lejuar që ofertat ta lëkundin nga pozicioni i tij në rastin e demarkimit të kufirit me Malin e Zi.

“As në administratën publike, as në arsim komunal e shëndetësi nuk do të ketë punësime me librezë partie e mbiemër farefisi. Subvencionet e grantet duhet të ndahen në mënyrë të drejtë e jo të diskriminohen për shkak të afërsisë partiake. Këtu në Podujevë ka pesë vjet që pritet shiriti i spitalit, por spitali s’është gati askund”, ka thënë ai. /Insajderi.com