Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu dhe kryeministri Albin Kurti i kanë dërguar “Europa Nostra” një letër në të cilën jepen një varg argumentesh sipas të cilave Manastiri i Deçanit nuk përmbush kriteret për të hyrë në programin e “Shtatë momunemteve të rrezikuara”.
Letra është dërguar më datë 18 mars 2021, derisa Osmani ishte ushtruese e detyrës së presidentes, ndërsa Kurti ishte kandidat për kryeministër.
Aty thuhet se në sulmet e pretenduara ndaj manastirit, gjuha e përdorur nga nominuesi është e pasaktë, duke qenë siç thuhet, edhe tendencioze dhe e papranueshme.
“Termi ‘ekstremistët lokalë’ është cilësim i ekzagjeruar qëllimshëm, ndërsa sulmi i pretenduar nga organizata terroriste ISIS është totalisht i pabazuar në fakte. Kjo gjuhë na bën të besojmë se teksti i nominimit nuk ka ndjekur linjë profesionale të argumentimit, dhe ka devijuar në përmbajtje me ngarkesa politike dhe propaganduese. Dëshmia më e mirë është mungesa e burimeve të besueshme mbi të cilat bazohen këto konstatime tendencioze”, thuhet në letër.
Në fund, Osmani e Kurti u kanë bërë thirrje përfaqësuesve të organizatës që të takohen për të diskutuar mbi mundësinë e bashkëpunimit.
“Kemi dëshirën dhe kënaqësinë që të emër të institucioneve të Republikës së Kosovës t’ju bëjmë thirrje për një takim të përbashkët ku mund të diskutojmë mbi mundësitë e bashkëpunimit për të përparuar agjendën e mbrojtjes së trashëgimisë sonë të përbashkët kulturore dhe natyrore. Ne jemi të lumtur që dy organizata joqeveritare nga Kosova janë anëtare të Europa Nostra dhe në bashkëpunim me ta jemi të motivuar që të hulumtojmë mundësi të reja bashkëpunimi mes institucioneve të Republikës së Kosovës dhe organizatës Europa Nostra”, thuhet tutje në letër./Insajderi.com
Letra drejtuar organizatës Europa Nostra nga Presidentja Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti e datës 18 mars 2021,…
Posted by Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit on Friday, April 9, 2021