Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi të premten se me palën serbe nuk do të ketë takim para datës 6 tetor, për vazhdimin e dialogut.
Në këtë datë, tha se do mbahet një Samit nga Bashkimi Evropian dhe gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor.
“Nuk do të ketë takim para 6 tetorit kur kemi Samitin në Slloveni midis Bashkimit Evropian dhe gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor. Nuk ka datë të caktuar se kur do të jetë takimi im i radhës”, pohoi shefi i qeverisë në një konferencë të përbashkët për media me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci.
Kurti foli edhe për takimin me përfaqësuesin special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, me të cilin tha se nuk kanë biseduar për arkivat e as për reciprocitetin.