Kurti emëron anëtarët e ri të bordit të ARKEP-it, shfuqizon vendimin e Hotit

Kurti emëron anëtarët e ri të bordit të ARKEP-it, shfuqizon vendimin e Hotit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se është emëruar Bordi i ri i Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, njofton Insajderi.

Siç thotë Kurti, me këtë rast është shfuqizuar vendimi i mëhershëm i Qeverisë Hoti.

Këtë kryeministri e bëri të ditur me anë të një postimi në llogarinë e tij zyrtare në Facebook.

Arsyeja për këtë është mosplotësimi i kuotës gjinore.

“Së pari, anuluam vendimin e qeverisë së kaluar për propozimin që i ka bërë Kuvendit me emrat e kandidatëve për kryetar dhe anëtarë të këtij bordi me datë 7.12.2020. Vendimi paraprak u shfuqizua për shkak se përbërja e bordit nuk respektoi kuotën e nevojshme gjinore, që përcaktohet me Ligjin për Barazi Gjinore”, ka shkruar Kurti.

“Nga pesë anëtarët e propozuar, vetëm një ishte grua. Ndërsa, në fund të mbledhjes, propozimi nga Ministrja e Ekonomisë, znj. Artane Rizvanolli, për bordin e ri të përkohshëm të ARKEP-it, respekton dhe plotëson këtë kuotë. Për shkak se emrat nga qeveria e kaluar nuk ishin votuar gjatë legjislativës së fundit, bordi i ARKEP-it ka mbetur pa mandat afër pesë muaj. Lista që është miratuar nga kabineti ynë qeveritar sot dhe e cila do të dërgohet në Kuvend përbëhet nga: Nazim Rrahimi – kryetar, Lule Ahmedi – anëtare, Shkumbin Hamiti – anëtar, Rrezarta Duraku Rizaj – anëtare, dhe Arijan Qorrolli – anëtar. Punët e mira bëhen vetëm atëherë kur edhe gratë janë aktive në proceset vendimmarrëse, pra vetëm kur bëhemi bashkë”, ka shkruar tutje Kurti. /Insajderi.com