Kurti: Ende nuk e kam lexuar raportin e ShBA-së për Ujmanin

Kurti: Ende nuk e kam lexuar raportin e ShBA-së për Ujmanin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se ende nuk e ka lexuar raportin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Liqenin e Ujmanit, njofton Insajderi.

Kurti thotë se ekipet të cilat merren me këtë çështje do ta analizojnë këtë raport dhe më pas do të dalin me një qëndrim.

“Nuk e kam lexuar ende raportin, kemi ekipet që merren me këtë gjë, dhe pastaj do ta komentojmë”, ka thënë ai, raporton EO.

Kështu u shpreh ai pas një simpoziumi me temën “E ardhmja e Planifikimit Territorial në Kosovë”, ku më tej refuzoi të përgjigjet sa I përket liberalizimit të vizave dhe zotimeve që ka marrë pas takimit nga presidenti francez, Emmanuel Macron.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i dorëzuan Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Serbisë studimin e fizibilitetit për Liqenin e Ujmanit, që ishte pjesë e Marrëveshjes së 4 Shtatorit 2020, që u nënshkrua në Shtëpinë e Bardhë në prezencë edhe të presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump.

Ditë më parë, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë njoftoi se raporti i Departamentit Amerikan të Energjisë, propozon formimin e një komisioni apo komiteti për lumin Ibër që gjendet në pjesën veriore të Kosovës që do të ndihmonte diskutimin midis palëve për mundësitë e menaxhimit të burimeve ujore.

“Ne propozojmë që Kosova dhe Serbia të marrin në konsideratë aranzhimet teknike nga traktati ndërmjet SHBA-së dhe Kanadasë për lumin Kolumbia në lidhje me furnizimin me ujë, të agjencive të energjisë dhe kontrollimit të përmbytjeve duke modeluar nevojat institucionale për të mbështetur një komision të tillë edhe për lumin Ibër”, thuhet në dokument.

Më tej theksohet se “sistemi i Ujmanit duket se luan një rol të njëjtë të digës në lumin Kolumbia në Paqësorin Veri-Perëndimor në Shtetet e Bashkuara sa i takon kontributit të tij për shërbimet e ruajtjes për furnizimin me ujë sezonal, energjisë dhe në shërbimet e kontrollit të përmbytjeve”. /Insajderi.com