Parimet të cilat duhet ndjekur në dialogun me Serbinë janë tema për të cilën mbajti fjalim kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, para eurodeputetëve, në Komitetin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, të enjten e 29 prillit, njofton Insajderi.
Kurti tha se Kosova ulet në tavolinën e bisedimeve si palë e barabartë me Serbinë, duke shtuar se parimi i parë është pranimi i realitetit, ndërsa si parim të dytë Kurti e në këtë tryezë e shtroi të vërtetën që duhet ta pranojë Serbia për krimet dhe gjenocidin që ka kryer, për çka ka ndërhyrë edhe NATO, ndërsa parim i tretë për Kurtin është që Kosova duhet të konsiderohet si palë e jo çështje.
“Detyrimi im që të mbrojë pavarësinë e Kosovës, ne jemi për dialog por për një dialog të mirë përgatitur dhe me parime. Së pari është pranimi i realitetit, pavarësia e Kosovës në bazë të Pakos së Ahtisaarit ka qenë kompromis, hapja e kësaj pakoje do të thoshte hapje e listës së dëshirave e shtytjeve që do të qonin në pasoja të padëshirueshme. Parimi i dytë është që Serbia duhet të pranojë të vërtetën dhe krimet dhe gjenocidin që ka kryer për të cilin NATO është dashur ta bombardojë regjimin e Beogradit, edhe pas luftës në Kosovë, qeveria e re në Serbi nuk është distancuar nga Millosheviqi. Parimi tretë është barazia e përfaqësuesve, në çdo tryezë ulemi të barabartë, Kosova nuk është çështje por palë në dialog kjo duhet të kuptohet para çdo takimi”, tha ai.
Kreu i qeverisë kosovare tha se çështja e parë që duhet të zgjidhet në bisedimet me Serbinë është fati i të pagjeturve.
“Çështja e parë që duhet të zgjidhim është fati i të pagjeturve, nëse nuk bëjmë përparim në këtë temë vështirë që mund të bëjmë përparim në fusha tjera”, u shpreh mes tjerash ai. /Insajderi.com