Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, ka bërë të ditur për temat e diskutimit në takimin me të Dërguarin Special të Bashikimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, njofton Insajderi.
Në një postim në Twitter, Kurti është shprehur se gjatë këtij takimi Lajçakun e ka njoftuar se prioritetet e qeverisë së tij do të jenë vendet e punës dhe drejtësia.
“Mbrëmë mirëprita Mirosllav Lajcakun, të Dërguarin Special të BE’së për Dialogun Kosovë-Serbi, në zyrat e VV’së.
Ai i përcolli urimet e tij më të mira qeverisë në ardhje dhe unë e informova atë për përparësitë tona kryesore që janë vendet e punës dhe drejtësia”, ka shkruar Kurti.
Ndërsa, sa i përket dialogut, i pari i LVV-së ka thënë se janë pajtuar që të jetë i përgatitur mirë dhe parimor.
“Ne të dy ranë dakord që dialogu është i rëndësishëm dhe duhet të jetë i përgatitur mirë dhe parimor. Duhet të jetë transformues dhe transparent, në mënyrë që qytetarët të jenë përfituesit, dhe duhet të jetë transatlantik – i koordinuar mirë ndërmjet SHBA-së dhe BE-së”, ka shkruar tutje Kurti./Insajderi.com