Ish-kryeministri i Kosovës, njëherësh edhe lider i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka folur për arsimin në Kosovë, duke e quajtur të dobët, e që sipas tij vjen nga keqqeverisja, njofton Insajderi.
Kurti përmes një postimi në Facebook, ka bërë thirrje që “rikthehet dija si vlerë dhe i dituri si autoritet”, në mënyrë që të ketë shtet dhe përparim.
“Nuk jemi të vetëdijshëm sa shumë probleme sot janë pasojë direkte e arsimimit të dobët. Nga keqqeverisja lart deri te mjerimi poshtë. Duhet ta rikthejmë dijen si vlerë dhe të diturin si autoritet. Nëse duam të kemi shtet dhe përparim”, ka shkruar ai.
Postimi i plotë:
Prindërit nuk lexojnë mjaftueshëm. Bibliotekat publike nëpër komuna dhe ato private nëpër familje janë të varfëra. Mungon kultura dhe shprehia e leximit. Nxënësit i kalojnë mesatarisht afër shtatë orë në ditë para ekraneve të ndryshme, prej të cilave vetëm dy orë për mësim (lexim e kërkime). Shumica e nxënësve nuk arrijnë t’i kujtojnë tre librat e fundit që kanë lexuar. 2/3 e tyre e praktikojnë kopjimin e detyrave dhe referateve nga interneti. Sa më të rritur nxënësit, aq më pak lexojnë e aq më shumë kopjojnë.
Këto janë disa prej të gjeturave nga studimet që trajtojnë lexueshmërinë dhe mësimin në Kosovë. Nuk jemi të vetëdijshëm sa shumë probleme sot janë pasojë direkte e arsimimit të dobët. Nga keqqeverisja lart deri te mjerimi poshtë.
Duhet ta rikthejmë dijen si vlerë dhe të diturin si autoritet. Nëse duam të kemi shtet dhe përparim. /Insajderi.com/