Kurti flet për koronavirusin – tregon se nga cila sëmundje ka vuajtur vitin e kaluar

Kurti flet për koronavirusin – tregon se nga cila sëmundje ka vuajtur vitin e kaluar

Kryeministri i shkarkuar, Albin Kurti ka shkruar se që nga 15 prilli përqindja e rritjes në numrin e rasteve me koronavirus ka rënë nën 4%.

Ai ka thënë se para kësaj date rritja ditore kishte shkuar deri në 27%, përcjell Insajderi.

Ndërsa, ka thënë se tani po përballemi me një sëmundje që dëmton ndër organet më të rëndësishme të trupit; shëndeti i mushkërive është vital po aq sa shëndeti i zemrës dhe trurit.

Kurti, ka treguar se në vitin 2019 ka qenë i sëmurë në mushkëri dhe për këtë ka thënë se virusi korona duhet të merret me seriozitet.

Postimi i tij i plotë:

Të dashur qytetarë,

Falë masave të 15 prillit dhe bashkëpunimit të një shumice të madhe prej jush, përqindja e rritjes në numrin e rasteve ka rënë nën 4%. Kjo nënkupton se qytetarët e infektuar po e transmetojnë virusin te shumë më pak persona të tjerë në krahasim me periudhën para 15 prillit, kur rritja ditore kishte shkuar deri në 27%. Dje, për herë të parë që nga ardhja e Koronavirusit në Kosovë, numri i të shëruarve ishte dyfish më i madh sesa numri i rasteve të reja, me 35 persona të shëruar. Kemi shënuar progres të jashtëzakonshëm, progres i cili po shpresojmë që të vazhdojë në javët e ardhshme.

Mirëpo, sado që ky është lajm i mirë për të gjithë, vazhdimi i këtij përmirësimi nuk varet vetëm prej Qeverisë, por varet edhe prej të gjithë neve bashkë. Nuk duhet ta lejojmë që progresi i deritanishëm të na relaksojë, sepse kjo do të rrezikonte të kthejë mbrapsht krejt këtë progres. Virusi nuk e fal askënd. Studimet më të fundit tregojnë se, edhe në rast të shërimit, dëmi që ia bën virusi mushkërive mund të jetë i pariparueshëm. Pra, po përballemi me një sëmundje që dëmton ndër organet më të rëndësishme të trupit; shëndeti i mushkërive është vital po aq sa shëndeti i zemrës dhe trurit.

Personalisht kam pasur një përvojë të vështirë me sëmundje në mushkëri në shkurt të vitit 2019. Si Kryeministër, por edhe si qytetar, unë e marr virusin Corona me shumë seriozitet. Nuk kemi të bëjmë me një grip të thjeshtë siç thonë disa. Le të vazhdojmë të tregojmë kujdes të shtuar ndaj pastërtisë dhe distancës në mënyrë që sakrificat tona të deritanishme të kenë kuptim dhe që pandemia të mos shpërthejë përsëri duke na kthyer në pikën zero.

Na duhet bashkëpunimi jo vetëm i shumicës, por i të gjithëve. Ndaras nuk kemi si ta fitojmë këtë betejë, por bashkë, të gjithë bashkë, dhe fitorja është e garantuar./Insajderi.com