Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka folur rreth eksportit dhe importit të Kosovës me vendet fqinje.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Kurti ka shkruar importet e Kosovës janë më të mëdha nga Serbia sesa nga Shqipëria.
Duke ju referuar, Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Kurti ka shkruar se “deficiti tregtar për muajin dhjetor 2017 u rrit për 8.5% në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2016. Eksporti i mallrave në muajin dhjetor 2017 kishte vlerën 29,4 milionë €, ndërkaq importi 297,3 milionë €. Kësisoj, raporti eksport/import është veçse 1/10!”, raporton Insajderi.
Tutje Kurti ka shtuar se “në dhjetor të vitit 2017 eksportet e Kosovës në Shqipëri ishin dyfish më të mëdha sesa në Maqedoni dhe trefish më të mëdha sesa në Serbi ose Mal të Zi. Në anën tjetër, importet e Kosovës ishin mbi katër herë më të mëdha nga Serbia sesa nga Shqipëria”.
Kurti ka thënë se këto shifra nuk pasqyrojnë as sovranitet, as zhvillim ekonomik dhe as patritizëm.
“Tri reformat drejt shtetit zhvillimor (Fondi Sovran, Agjencia e Zhvillimit, Banka Zhvillimore) të cilat i kemi prezantuar dhe shpjeguar në prag të fushatës së zgjedhjeve paralamentare të 11 qershorit 2017, janë rruga e duhur dhe zgjidhja e vetme”, ka shkruar në fund Kurti. /Insajderi.com