Kurti fton koalicionin LDK-AKR dhe deputetët e PAN-it të bisedojnë për formimin e Qeverisë

Kurti fton koalicionin LDK-AKR dhe deputetët e PAN-it të bisedojnë për formimin e Qeverisë

Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti përmes një konference për medie ka ftuar koalicionin LDK-AKR-Alternativa dhe deputetët e koalicionit PDK-AAK-Nisma që t’i bashkohen tryezës së Vetëvendosjes për krijimin e qeverisë së re.

“Së pari ne i bëjmë ftesë koalicionit LDK-AKR-Alternativa dhe deputetëve të koalicionit PDK-AAK-Nisma të na bashkohen në tryezë për të diskutuar për krijimin e një qeverie të re”, ka thënë Kurti.

Kurti më tutje ka thënë se Vetëvendosje do t’i marrë të gjitha masat dhe ta çlirojë shtetin nga kapja që i është bërë.

“Do të marrë të gjitha masat për krijimin e një qeverie të re që do ta çlironte shtetin dhe ta çkapte nga kjo kapje që i është bërë. Ne nuk mund të kemi qeveri të re me eksponentë të vjetër. Vetëvendosje si partia më e madhe pas zgjedhjeve e ka për obligim formimin e qeverisë së re”, ka thënë Kurti.

Kurti ka hedhur poshtë mundësinë që presidenti të mos ia japë mundësinë partive të tjera për krijimin e qeverisë.

“Fituese e këtyre zgjedhjeve është Lëvizja Vetëvendosje, populli e do një qeverisje të saj. Duhet të dështojë partia e regjimit ajo e PDK-së dhe të qeveriset nga partitë të tjera. Këtë nuk mund ta ndalë as zotëri Thaçi”, ka shtuar Kurti duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve.

Kurti nuk ka folur shumë për takimin mes tij dhe kryetari të AKR-së, Behgjet Pacollit, duek thënë se takime të tilla, por jo aq të rastësishme sa kjo, do të ketë edhe ditëve në vijim./Insajderi.com