Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, dhe shefin e Stafit të Kabinetit të Presidentes së Kosovës, Blerim Vela, janë kthyer nga Kroacia në Kosovë, ndërsa ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla dhe ai i Shëndetësisë, Arben Vitia, po vazhdojnë vizitën te bashkëatdhetarët e lënduar në aksidentin tragjik që ndodhi në mëngjesin e së dielës në Brod të Kroacisë, njofton Insajderi.
Sveçla dhe Vitia janë ndalur për t’i koordinuar tutje veprimet dhe të gjitha masat e nevojshme për kujdesin dhe trajtimin e të gjithë udhëtareve që janë lënduar.
Kështu është bërë e ditur në njoftimin e fundit të publikuar nga kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla, sa i përket të rejave nga shteti kroat.
Një aksident tragjik ndodhi gjatë ditës së djeshme në Slavonski Brod të Kroacisë, ku 10 kosovarë mbetën të vdekur nga aksidenti tragjik i autobusit që doli nga rruga teksa mbetën të lënduar rreth 40 të tjerë. /Insajderi.com