Kurti i “argëton”me deklarata nacionaliste disa simpatizantë të VV-së në Tiranë

Kurti i “argëton”me deklarata nacionaliste disa simpatizantë të VV-së në Tiranë

Përderisa në Kosovë lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, flet për rrëzimin e qeverisë dhe mundësinë e një bashkëpunimi të mundshëm me LDK-në, ai në Shqipëri po merret me tema të tjera.

Në një organizim të sotëm ai ka argëtuar disa simpatizantë të Vetëvendosjes në Tiranë me deklarata nacionaliste duke folur për bashkimin kombëtarë mes Kosovës dhe Shqipërisë. Lideri i partisë që udhëheqë me vetëm një komunë në Kosovë ka folur edhe për krijimin e një aleance ballkanike.

“Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, bashkimi kombëtar i shqiptarëve, në Ballkan, bëhen paralelisht me krijimin e aleancës ballkanike Shqipëri-Kosovë-Kroaci-Bullgari, plus Sarajeva, Podgorica dhe Shkupi zyrtar, ku shqiptarët duhet të prijnë”, tha Kurti.

Kurti foli edhe për implikimin e Bashkimit Evropian në çështjet shqiptaro-shqiptare.

“Bashkimi ynë kombëtar dhe Bashkimi Evropian as nuk e zëvendësojnë njëra-tjetrën dhe as nuk e pengojnë njëra-tjetrën. Është gabim të përdoret bashkimi kombëtar për ta frikësuar Bashkimin Evropian. Mënyra e tillë na lë edhe pa bashkim kombëtar, edhe pa Bashkim Evropian. E neve na nevojiten të dyja, pra, edhe bashkimi kombëtar, edhe Bashkimi Evropian”, potencoi lideri i VV-së në organizimin ku mori pjesë edhe ministri i Diasporës, Pandeli Majko.

Në këtë organizim, drejtori i qendrës së VV-së në Shqipëri foli për shtrirjen e kësaj partie politike nga Prishtina në Tiranë.

“Sot, pas gati 30 vitesh prej ndryshimit të regjimit, e kanë kuptuar të gjithë se ky nuk është tranzicion. Ky është vetë sistemi. Ekonominë e ka lënë pa prodhim, bujqësinë pa mbrojtje nga tregtia e pandershme, mbrojtjen e vendit pa ushtri me armatim bashkëkohor, dijen e ka lënë në mëshirën e fatit, ndërsa shëndetin publik në ligjet e pamëshirshme të tregut”, u shpreh Abazi.

Gjatë ditës së sotme, Albin Kurti është takuar me kryetarin e LDK-së Isa Mustafën për të diskutuar rreth rrëzimit të Qeverisë Haradinaj. Raporti mes Kurtit dhe Mustafës së fundmi është shtuar pas “përpjekjeve” për rrëzimin e qeverisë.