Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka parashikuar rezultatin e zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen së shpejti, duke shprehur bindjen se partia që ai udhëheqë do të dalë fituese dhe do t’i marrë 2/3 e votave, njofton Insajderi.
“Saherë të mundohen ta ndalin Lëvizjen me hile ajo do të rritet. Le të shërbejë kjo si mësim, me intriga me shërbime sekrete nuk ka përparim në politikë, nuk i ha populli mashtrimet, ky emancipim i popullit do të bëjë që Lëvizja Vetëvendosje t’i marr 2/3 e votave”, tha Kurti në mbledhjen e 42-të të Këshillit të Përgjithshëm.
Ai komentoi edhe bashkëqeverisjen me Lidhjen Demokratike të Kosovës, për të cilën tha se hyri në koalicion për ta penguar VV-në në qeverisje.
“LDK-së ju dukej se kishim fituar me pak diferencë dhe nisën të na vinin pengesë pas pengese, kërkesë pas kërkese”, tha tutje Kurti.
Ndërsa, lidhur me postin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, të cilin Glauk Konjufca e kishte lëshuar për t’ia oftuar kandidatit të LDK-së, i pari i VV-së tha se në këtë pozitë erdhi dikush (Vjosa Osmani) që nuk ishte servile.
“Këmbngulja e LDK-së për të marrë pozitën e Kryekuvendarit lidhej me presidentin, e jo me kryetarin Kuvendit. Ajo që e zëvendësoi Konjufcën nuk ishte servile e kam fjalën për Vjosa Osmanin dhe vendosi që të mbajë fjalën ndaj qytetarëve që votuan më 2019”, shtoi Kurti./Insajderi.com