Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pyet mërgimtarët nëse janë të gatshëm të votojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme në vend, duke ua treguar edhe mundësinë se si të votojnë, njofon Insajderi.
Në një video të publikuar në faqen zyrtare të LVV-së në Facebook, Kurti thotë se vota e bashkëatdhetarëve që jetojnë jashtë vendit, është shumë e rëndësishme dhe mund ta drejtojë Kosovën për një të ardhme më të mirë.
“Nëse keni shtetësi të Kosovës dhe i mbushni 18 vjet deri në datën e zgjedhjeve, atëherë keni të drejtë për të votuar nga mërgata. Poashtu, edhe nëse nuk keni shtetësi të Kosovës, mirëpo keni lindur në Kosovë ose së paku njërin prind e keni të lindur në Kosovë apo shtetas i Kosovës, atëherë edhe ju keni të drejtë vote”, ka thënë ai.
“Vota juaj është shumë e rëndësishme dhe mund ta drejtojë Kosovën për një të ardhme shumë më të mirë”, shtoi tutje Kurti. /Insajderi.com