Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka ndryshuar shumë qëndrimet rreth dialogut me Serb" />

“Kurti i ka ndryshuar të gjitha parimet sa i përket dialogut”

“Kurti i ka ndryshuar të gjitha parimet sa i përket dialogut”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka ndryshuar shumë qëndrimet rreth dialogut me Serbinë, ka thënë drejtori Ekzekutiv i organizatës Çohu, Arton Demhasaj.

Sipas tij, të gjitha qëndrimet e Kurtit sa ishte në opozitë tashmë janë shkelur nga vetë ai, “duke hequr dorë nga shumë parime”.

“Të gjithë e dimë se Kurti sa ishte në opozitë ka qenë kundër negociatave. Madje parimi i parë i LVV ka qenë ‘Jo Negociata Vetëvendosje’. Pastaj ka qenë premtimi se do të dialogojmë me serbët lokalë dhe nuk do të dialogojmë me Serbinë. Edhe kjo ka rënë poshtë.

Pastaj ka qenë premtim i Kurtit që nuk do të ulemi në tryezë me Vuçiqin pa kërkuar falje për krimet e kryera në Kosovë. Edhe kjo është shkel. Tjetra ka qenë Bashkimi Kombëtar që më nuk po përmendet. Dhe e fundit reciprociteti dhe kjo ende nuk ka ndodh”, tha ai në RTV Dukagjini.

Madje Demhasaj ka dalë edhe kundër Deklaratës së Paqes të propozuar nga kryeministri Albin Kurti në Bruksel.

Drejtori Ekzekutiv i organizatës “Çohu!, theksoi se edhe nëse do të nënshkruhej ajo pikë e Kurtit, askush nuk garanton se Serbia nuk sulmon Kosovën.

Kurti e presidenti serb, Aleksandar Vuçiq kanë zhvilluar takimin e tyre të dytë në kuadër të bisedimeve që po vazhdojnë në Bruksel. Kryeministri Kurti tha se ka kërkuar nga pala tjetër nënshkrimin e Marrëveshjes së Paqes, por është refuzuar nga presidenti serb pa e lexuar fare./Insajderi.com