REPLIKA POLITIKE

Kurti i replikon Thaçit: Tentoi t’i kundërvihej punës së mirë të Qeverisë me VV-në

Kurti i replikon Thaçit: Tentoi t’i kundërvihej punës së mirë të Qeverisë me VV-në

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, e njëherit edhe ish-kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka replikuar ndaj deklaratave të Presidentit të Kosovës Hashim Thaçit, të bëra këtë të hëne gjatë një konference për shtyp, ku deklaroi se Kosova “nuk ka nevojë për gjendje të jashtëzakonshme”.

Kurti i është përgjigjur Presidentit Thaçi gjatë një deklarimi për media pak orë më vonë, duke thënë se se “kur presidenti kërkonte një veprim të tillë, Kosova kishte vetëm 19-të raste me Coronavirus”.

Madje ai thekson tutje se një gjë e tillë, ishte kërkuar nga Presidenti, si “një kundërvënie e qeverisjes së mirë që kishte VV-ja, sesa për situatën me pandeminë”.

Kërkesa e Presidentit Hashim Thaçi për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme, e bërë me 17-të mars, ishte bërë edhe shkaku për prishjen e “koalicionit të shpresës” në mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Përveç se replikoi “në distancë” me Presidentin, ish kryeministri që u shkarkua nga Kuvendi i Kosovës, u deklarua rreth protestave të paralajmëruara nga Lëvizja Vetëvendosje, në kundërshtim të Qeverisë së re të Kosovës, në krye me Avdullah Hotin e LDK-së, që e pasoi Kurtin në pozitën e kryeministrit me 61 vota të Parlamentit të Kosovës, ditë më parë.

Edhe në këtë rast, sidomos pasi vendi po sheh rritje të numrit të rasteve të të infektuarve, Kurti siguroi se në protesta do të respektohet distanca sociale.

“Do ta kemi një manifestim në shesh, do ta ruajmë distancën që të tregojmë se e ruajmë vetën. Nuk është protestë është manifestim, tubim”, ka thënë Kurti. /Insajderi.com