
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se i vetmi subjekt politik që i mbron veteranët e luftës është Lëvizja Vetëvendosje, njofton Insajderi.
Kurti kështu u shpreh në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, ku përmes një videoconference e kritikoi presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës që nuk po reagojnë kur po arrestohen veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga ana e EULEX-it.
“Thaçi me LDK-në e bënë Gjykatën Speciale realitet në Kosovë – e futën në Kushtetutë. Sot nuk mund ta ndalim këtë gjykatë. Unë në Parlament kam thënë se do t’i mbrojmë pjesëtarët e UÇK-së. Kush po i mbron tani ata – askush nuk po çel gojën. Kur po arrestohen, krerët e institucioneve po heshtin”, ka thënë ai.
“Veteranët e luftës duhet ta kenë të qartë se i vetmi subjekt që i mbron është VV. PDK nuk i mbron se e ka hallin e pasurimit. Vetëm VV i mbron, është subjekti më patriotik që e çon Kosovën drejt bashkimit me Shqipërinë dhe BE-në”, ka shtuar tutje Kurti.
Sipas tij, zgjidhja për t’i shmangur rreziqet që i kanosen Kosovës nga Qeveria Hoti, janë zgjedhjet.
“Zgjidhja janë zgjedhjet dhe do të ketë shumë shpejt sepse kjo qeveri nuk ka fuqi as t’i miratojë ligjet në Kuvend”.
“LDK i hoqi vijat e kuqe për PDK-në – ky është një gjest qesharak. Po edhe sikur të bëhen të dyja bashkë, ne do t’i mundim”, tha ai.
Në këtë adresim, lideri i VV’së ka akuzuar Kryeministri Hoti dhe Ministin Zemaj se kanë dështuar në menaxhimin e pandemisë.
“Rreziku i parë është pandemia. i kemi humbur 600 jetë për pak muaj”, ka thënë ai. /Insajderi.com