Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është deklaruar rreth moscertifikimit të tij nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për zgjedhjet e 14 shkurtit, për çka Kurti thotë se subjekti të cilin e drejton e ka dorëzuar listën dhe ajo është lista e LVV-së.
“Ne kemi dorëzuar listën tonë ashtu siç është kërkuar dhe ajo është lista jonë. Para një viti ka qenë në Kosovë ish-ambasadori Grenell, për një darkë me ish-Presidentin, por ai është viti i kaluar, mendoj se institucionet e shtetit duhet të apdejtohen, në rrethanat e reja ku jemi në prag të zgjedhjeve të 14 shkurtit, zgjedhje këto që kanë ngjallur një entuziazëm të paparë për pjesëmarrje masive të qytetarëve”, deklaroi Kurti.
Ai tha se është bartës i listës që i respekton në përpikëri Kushtetutën dhe ligjet e vendit.
“Jam bartës liste i cili i respekton me përpikëri Kushtetutën dhe ligjet të cilët mbrojnë të drejtat e të gjithë neve dhe secilit prej nesh”, tha tutje Kurti.
Këto deklarata ai i bëri në lagjen “Velania”, pranë varrit të presidentit Ibrahim Rugova, ku bashkë me ushtruesen e detyrës së Presidentit, Vjosa Osmanin, bënë homazhe në 15-vjetorin e vdekjes së presidentit historik. /Insajderi.com