Kurti javën e ardhshme sërish në Bruksel, takimi me liderët e rajonit po cilësohet produktiv

Kurti javën e ardhshme sërish në Bruksel, takimi me liderët e rajonit po cilësohet produktiv

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pritet që javën e ardhshme të vizitojë Brukselin, me rastin e darkës së punës që do të mbahet me liderët e Ballkanit Perëndimor, njofton Insajderi.

Ky takim joformal, i ftuar nga shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, po konsiderohet i dobishëm në përmirësimin e marrëdhënieve bilaterale mes shteteve.

Ndonëse ky do të jetë takimi i parë ndërmjet kryeministrit Kurti dhe presidentit serb Vuçiq, i njëjti nuk pritet t’i paraprijë rifillimit të dialogut.

Takimin e 18 majit në Bruksel e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i qeverisë Kurti, Përparim Kryeziu. Ai thotë se ky takim nuk do t’i paraprijë rifillimit të dialogut, por vetëm do t’i shërbejë komunikimit dhe diskutimit të të gjithë liderëve të rajonit me BE-në, për interesat e përbashkëta.

“Do të takohen të gjithë përfaqësuesit, përkatësisht liderët e Ballkanit Perëndimor. Ky lloj organizimi i shërben komunikimit dhe diskutimit ndërmjet të gjithë liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian mbi ato që konsiderohet interesa dhe qëllime të përbashkëta. Ashtu edhe mundësi e mirë që zhvillojnë̈ edhe diskutimi mbi marrëdhëniet bilaterale mes vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian. Është forum shumë i mirë që të ketë diskutime të hapura mbi synimet e shteteve në raportet me BE-në dhe forma të tjera të bashkëpunimit”, ka thënë ai për KP.

Mirëpo vizitat e shpeshta të këtij lloji, deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa po i sheh në kundërshtim me prioritetet e vendosura të kryeministrit Kurti.

“Shumicën e kauzave që ka pasur zotëri Kurti për me ardh në pushtet kanë qenë kauza të rrejshme. Tash po e shohim se nga të gjitha kauzat ka hequr dorë, nuk e di cilën kauzë që ka mbajtur, sa ishte në opozitë. Nuk kam parë një seriozitet të Kurtit sa i përket dialogut dhe e shoh si disa tentativa të rrezikshme për vendit, sepse Kosova nuk po del e përgatitur para faktorit ndërkombëtar dhe nuk po ka një unitet të brendshme”, deklaroi ai. /Insajderi.com