Në mbledhjen e sotme të Qeverisë, kryeministri Kurti ka folur për situatën në veri të vendit.
Ai tha se sundimi i ligjit nuk është zgjedhje por detyrim.
“Duam sundim të ligjit sepse duhet sundim i ligjit. Nuk është zgjedhje është detyrim, mungesa e tij është kërcënim për të gjithë. Me këtë kërcënim po ballafaqohen bashkëqytetarët në katër komunat në veri. Presioni dhe sulmet ndaj tyre nga bandat kriminale janë dëshmi se cka prodhon mungesa e sundimit të ligjit”, tha Kurti.
Kurse sa i përket çështjes së targave, kryeministri shtoi se janë shqiptuar 1012 qortime për shoferët që drejtojnë veturat me targa ilegale.
“Problemi i tyre nuk janë vendimet tona e as afatet që parashihen në to, 1012 qortime janë lëshuar deri sot në mëngjes, asnjë incident i shënuar dhe asnjë ankesë. Problem janë sulmet me bomba, djegiet e veturave e shtëpive… ata që po urdhërojnë braktisjen e institucioneve të Kosovës janë ata të cilëve u pengon ligjshmëria e kushtetutshmëria, luftimi i kriminalitetit e korrupsionit”, tha Kurti
Tutje i pari i ekzekutivit theksoi se sundimi i ligjit është garanca më e mirë e paqes.
“Jemi Qeveri e përgjegjshme e të gjithëve, kundër kriminelëve e përkushtuar për zhvillim, barazi e integrim. Sundimi i ligjit dhe demokracia janë garantuesit më të mirë të paqes. Bëjë thirrje që të mos bojkotohen e braktisen institucionet”, tha Kurti. /Insajderi.com