
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se “si fëmijë janë rritur me Cimën”, dhe vetëm kur u rritën kuptuan se e ka emrin Rasim Thaçi.
Këto komente kreu ekzekutivit i bëri gjatë homazheve bashkë me krye-parlamentarin Glauk Konjufca e Ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku.
“Si fëmijë jemi rritur me Cimën dhe vetëm kur u rritëm dhe nuk ishim më fëmijë e morëm vesh se quhej Rasim Thaçi. Gëzimin dhe humorin e tij e shtonte kudo e tërë kohën duke e ndarë me të tjerët. Ndërkaq neve tani na duhet që ta zvogëlojmë dhimbjen dhe pikëllimin për të duke e ndarë me njëri-tjetrin”, tha Kurti.
Kurti foli edhe për personalitetin e Cimës.
“Rasim Thaci-Cima mund të ketë qenë ndonjëherë i pakënaqur, mund të ketë qenë ndonjëherë edhe i palumtur, por ka qenë gjithmonë i gëzuar dhe gëzimi i tij ka qenë guxim për të e për të gjithë ne kur e takonim atë, në ekranet televizive apo në rrugët e kryeqytetit”, pohoi ai.
Kryeministri i Kosovës ka shkruar për Cimën edhe në “Librin e Kujtimeve”. /Insajderi.com