Kurti: Kapja e shtetit nga Gruevski ka pasur miratim edhe në Prishtinë

Kurti: Kapja e shtetit nga Gruevski ka pasur miratim edhe në Prishtinë

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se situata e krijuar mbrëmë në Maqedoni “ka pasur miratim edhe në Prishtinë”.

Pasi sipas Kurtit kryeministri Isa Mustafa nuk reagoi, ndërsa siç reaguan Thaçi e Veseli, “më mirë mos të kishin reaguar fare”. Ai tha se dhuna nuk mund të dënohet në përgjithësi kur dihet me emër e mbiemër nga kush erdhi ajo dhunë.

Përmes një konference për media Kurti, pas ngjarjeve që ndodhën mbrëmë në Parlamentin e Maqedonisë, tha se është momenti kur Prishtina dhe Tirana duhet ta intensifikojnë bashkëpunimin me partitë shqiptare atje.

“Prishtina i la vetëm deputetët shqiptar në Shkup, në momentin kur dihet se Gruevski dhe Ivanovi e kanë kapur Ushtrinë dhe Policinë. Kjo u pa edhe mbrëmë se sa vonë ndërhynë ata”, tha Kurti, shkruan Klan Kosova.

Kurti tutje tha se shqiptarëve nuk u lejohet të udhëheqin.

“Shqiptarët lejohen në përbërje të institucioneve, por jo edhe të prijnë jo edhe të jenë udhëheqës. Shumica e votuan Talat Xhaferin, por ai u dënua nga foltorja e tij”, tha Kurti.