Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka përmendur Bashkimit Evropian pesë gjëra që duhet të qartësojnë në raport me Ballkanin Perëndimor, njofton Insajderi.com.
Në Forumin Evropian Albach në Austri, Kurti nisi fjalimin e tij duke u përqendruar në rëndësinë e çështjes së personave të zhdukur.
“Sidomos në ditë si këto, duhet t’ia kujtojmë vetes dhe aleatëve tanë se vetëm duke u ballafaquar me të kaluarën mund të ecim siç duhet drejt së nesërmes. Nuk ka rrugë tjetër”, tha ai.
Ndërkaq, sa i përket kushtëzimit, kryeministri Kurti tha se BE-ja duhet që të veprojë në mënyrë më etike dhe më drejtë, pasi që anëtarët e BP6 kanë marrë liberalizimin e vizave, kurse Kosova është ende duke pritur, e izoluar si një geto.
“Politika e shkopinjve dhe karotave nuk ka qenë shumë frytdhënëse për Kosovën pasi kemi marrë shumë shkopinj, por jo shumë karota. Ka kaluar më shumë se një dekadë që kur të gjithë anëtarët e BP6 kanë marrë liberalizimin e vizave, ndërsa Kosova është ende duke pritur, e izoluar si në një geto, imazh i cili sjell shumë turp në të dy palët”, tha kryeministri.
Tutje, Kurti tha se BE-ja duhet t’i qartësojë 5 gjëra në raport me Ballkanin Perëndimor:
– Së pari, ta krijojë një momentum të ri për reformat dhe ta bëjë zgjerimin më të drejtë dhe më të ndershëm. Për këtë synim edhe ne duhet të avancojmë në një marrëveshje të re rajonale të cilën kohët e fundit ne e quajtëm SEFTA dhe e cila do të modelohej në EFTA-EEA. Kjo marrëveshje e re do të rriste integrimin dhe bashkëpunimin ekonomik dhe do t’i hiqte barrierat midis vendeve të BP6 dhe midis BP6 dhe BE-së, duke e sjellë kështu rajonin më afër zonës së tregut të vetëm të BE-së dhe anëtarësimit të plotë. Diçka nga e cila përfitojnë të gjithë.
– Së dyti, ta rrisë financimin. IPA 3 është premtues, por ekonomia më e madhe në planet mund të bëjë më shumë dhe duhet të bëjë më shumë. Financimi duhet të shpërndahet në mënyrë të drejtë në përputhje me nevojën e secilit vend dhe të kushtëzohet me progres real dhe kuptimplotë në demokratizim, siç është sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut dhe ato civile. Një financim i tillë do të synonte punësimin e të rinjve, arsimin dhe infrastrukturën.
– Së treti, të marrë përgjegjësi për kontinentin tonë. Kjo është detyrë vendimtare për një fuqi ekonomike. BE-ja duhet të marrë përgjegjësinë brenda kontinentit të saj në mënyrë që të projektojë fuqinë në skenën botërore. BP6 është Evropë dhe BE-ja duhet të rrisë praninë e saj dhe të mbrojë interesin e kontinentit kundër aktorëve të tretë konkurrentë që nuk ndajnë të njëjtat vlera. BE-ja duhet të mbrohet dhe të ruhet. Përfshirja e PB6 ndihmon në këtë qëllim.
– Së katërti, të rrisë sinkronizimin midis Brukselit dhe Uashingtonit. Kur janë së bashku, BE-ja dhe SHBA-ja janë një fuqi e pakrahasueshme në të gjitha aspektet. Vitet e fundit ishim dëshmitarë të dëmit që mund të shkaktohet kur Uashingtoni dhe Brukseli nuk flasin me një zë të vetëm në çështjet vendimtare. Vendet e BP6 mbështeten në Aleancën Transatlantike.
– Së pesti, ta përmbyllë ombrellën e sigurisë. Kjo do të thotë të përfshihen të gjitha vendet e BP6 në NATO./Insajderi.com