Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të mërkurën ka pritur në takim përfaqësuesit e misionit vëzhgues të Rrjetit Evropian të Organizatave Monitorues të zgjedhjeve (ENEMO) në Kosovë, Pierre Peytier dhe Elene Nizharazde, të cilëve u ka kërkuar transparencë të plotë përzgjedhjet lokale.
Ka siguruar përfaqësuesit e këtij misioni për bashkëpunim të plotë të gjitha institucioneve shtetërore, bën të ditur Zyra e Kryeministrit.
“Me theks të veçantë u diskutuan zhvillimet, ecuria e fushatës dhe pritjet për zhvillimet e mëtejme në lidhje me fushatën për zgjedhjet lokale më 17 tetor 2021”, thuhet në komunikatën për media.
Në anën tjetër, bëhet e ditur se “vëzhguesit kanë njoftuar Kryeministrin me misionin e tyre, përpjekjet për vëzhgimin sa më real dhe objektiv të fushatës, synimin për përcjelljen e mediave, sidomos atyre elektronike përmes analizave nga specialistët e marrëdhënieve midis mediave dhe zgjedhjeve”.
Përveç paraqitjeve publike mediale menjëherë pas zgjedhjeve, ky mision do të përgatisë edhe një raport përfundimtar me rekomandime në muajin shkurt 2022, i cili do t’iu dorëzohet të gjitha institucioneve kompetente dhe do të bëhet publik.
Në këtë takim i pranishëm ishte edhe përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje dhe njëherit anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Sami Kurteshi.
Zgjedhjet lokale në Kosovë mbahen më 17 tetor./Insajderi.com