
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi të hënën se bashkëpunimi dhe koordinimi në mes të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në procesin e ri të dialogut është i mirëseardhur “sepse është i domosdoshëm”, përcjell Insajderi.
Ai gjatë takimit me emisarin evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe të dërguarin e posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, theksoi se dialogu duhet të jetë i drejtë, parimor dhe në shërbim të popujve dhe paqes e sigurisë së gjithmbarshme.
“Kryeministri Kurti e vlerësoi të rëndësishëm takimin dhe kohën kur po ndodh ai: në prag të takimit në Bruksel, i paralajmëruar për në mesin e qershorit, pas takimeve me liderët e opozitës dhe para diskutimit në Kuvend për procesin e kaluar të dialogut, marrëveshjet e arritura në Bruksel dhe nivelin e zbatueshmërisë së tyre”, thuhet ndër të tjerë në kumtesën e Zyrës së Kryeministrit.
Palmer dhe Lajçak do të qëndrojnë në Kosovë për një vizitë zyrtare dyditore (31 maj – 1 qershor).
Arsyeja e vizitës merret vesh se është përgatitja për rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi, përkatësisht përgatitja e takimit mes Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq./Insajderi.com