Kurti: Kosova sivjet aplikon për anëtarësim në Bashkimin Evropian

Kurti: Kosova sivjet aplikon për anëtarësim në Bashkimin Evropian

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se këtë vit shteti i Kosovës do të aplikojë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Kurti këto komente i ka bërë në takimin e Këshillit Këshillit Ministror për Integrim Evropian ku ka kërkuar angazhim shtesë në zbatimin e reformave të cilat burojnë nga marrëveshja e Stabilizim Asociimit e njohur si (MSA).

Ai ka thënë se Kosova ka përgatitur Programin Kombëtar për zbatimin e marrëveshjes së Stabilizim Asociimit 2022-2026.  Kurti ka deklaruar se programi parasheh reforma konkrete në të gjitha fushat.

Ka kërkuar nga kabineti i tij që të angazhohet në zbatimin e reformave të cilat janë pjesë e MSA-së.

“Rëndësia e programit dhe prioriteteve politike në kuadër të agjendës për reforma evropiane sivjet është më e madhe për shkak të zotimit politik që kemi marrë si Kosovës që sivjet të aplikojmë për anëtarësim në Bashkimin Evropian”

“Zotimi i Republikës sonë për të bërë hapin e ardhshëm drejt anëtarësimit në BE është hap i duhur pasiqë jemi duke zbatuar MSA-në tash e 6 vite dhe me dinamikë të shtuar sidomos së fundi. Kosova është vend potencial kandidat dhe i është premtuar perspektiva e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Prandaj jemi të përkushtuar që të zbatojmë pjesën tonë të detyrimeve”, ka thënë Kurti. /Shqip.com