Kurti kujton deklaratën e Vuçiqit para 25 viteve, tha se “për një serb do t’i vrasin 100 myslimanë”

Kurti kujton deklaratën e Vuçiqit para 25 viteve, tha se “për një serb do t’i vrasin 100 myslimanë”

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka publikuar në rrjetet sociale një deklaratë të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ku kishte thënë se “Ju bombardoni, vrisni një serb e ne do të vrasim 100 myslimanë”.

Kurti ka përkujtuar këtë deklaratë famëkeqe të presidentit serb, që kishte thënë para 25 vitesh, kur ai ishte deputet i partisë së Sheshelit.

“Sot, më 20 korrik 2020, bëhen 25 vjet nga deklarata famëkeqe e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, atëbotë deputet i partisë së Sheshelit: “Ju bombardoni, vrisni një serb e ne do të vrasim 100 myslimanë. E ta shohim pastaj se a guxon bashkësia ndërkombëtare apo kushdo tjetër të godasë mbi pozicionet serbe, a mund të sillen ashtu me popullin serb”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Kurti ka publikuar edhe një video tjetër, ku shihet njësiti serb ‘Shkorpionët’, pjesëtarët e të cilit pushkatojnë në Srebrenicë boshnjakë civilë, të mitur e me duar të lidhura pas shpinës, për të cilët thotë se jo shumë kohë më vonë, i njëjti njësit serb ka pushkatur familjet Bogujevci dhe Duriqi në Podujevë.

“Gati katër vjet më vonë, më 28 mars 1999, i njëjti njësit serb ‘Shkorpionët’ do të pushkatojë familjet Bogujevci dhe Duriqi në Podujevë”, ka shkruar Kurti. /Insajderi.com/

Sot, më 20 korrik 2020, bëhen 25 vjet nga deklarata famëkeqe e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, atëbotë deputet…

Posted by Albin Kurti on Monday, July 20, 2020