Kryeministri, Albin Kurti, ka kujtuar masakrën e Rahovecit në 23 vjetorin e saj, shkruan Insajderi.
Kurti përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se sot kujtojmë të rënët por edhe të gjallët e kësaj masakre.
“Sot u bënë 23 vite nga ofensiva e forcave serbe në Rahovec e javës së 19 korrikut të vitit 1998. Për disa ditë me radhë u ekzekutuan, u morën peng e u zhdukën me dhunë shumë shqiptarë civilë në mënyrë arbitrare”, ka shkruar Kurti.
Ai më tej, ka thënë së ushtria, policia dhe paramilitarët serbë vazhduan tutje duke masakruar fëmijë, gra e pleq të strehuar në Teqenë e Sheh Myhedinit.
“Vranë profesorë. Morën peng civilë. E në fund hapën dy gropa të mëdha ku i varrosën një pjesë të shqiptarëve të vrarë gjatë kësaj ofensive. 150 persona kanë mbetur të vrarë, edhe 10 persona janë ende të pagjetur. Andaj sot kujtojmë të rënët por edhe të gjallët e kësaj masakre. Ata që na lanë, e ata që mbijetuan për të treguar tmerrin e përjetuar, dhe që akoma e bartin mallin e më të dashurve të tyre që më nuk janë, si dhe të atyre që nuk e dijnë se ku janë”, ka deklaruar Kurti.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të takohet sot me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel./Insajderi.com