Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha se deklaratat e krerëve në Serbi janë nxitëse dhe se nuk mund të flasin në emër të Kosovës.
Kurti gjatë vizitës në Doganë i është përgjigjur deklaratave të presidentit serb Aleksandar Vuçiq se Kosova po përgatitet për sulm ndaj serbëve në veri.
“Së pari edhe në bazë të fitores së shkurtit të vitit të kaluar unë jam kryeministër i shpresës dhe i progresit ndërsa në serbi keni një president të frikës dhe kërcënimit. Kur flasin për dhunë në Serbi flasin për vete nuk flasin për republikën tonë, për ne flasin instituicionet”, tha ai.
“Dita e 1 gushtit do të shkonte tërësisht paqësore mirëpo me 31 korrik u ngritën ato barrikada prej njerëzve që kishin nxitur dhe organizuar strukturat paralele që u bënë banda kriminale pra kur ata flasin flasin për vete ne jemi për paqe dhe stabilitet afatgjatë”.
Kujtojmë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka përhapur një propagandë se kinse Kosova “është duke përgatitur sulm në Veri për vrasjen e serbëve”.
“Po përgatisin likuidimet e njerëzve tanë në veri” – tha Vuçiq dhe paralajmëroi që të mos e bëjnë këtë.
Vuçiq ka mohuar të ketë kërkuar ndihmë nga aleati i tyre, Rusia për ta sulmuar Kosovën.
Theksojmë se kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq do të takohen në Bruksel më 18 gusht, pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës si rezultat i vendosjes së masave të reciprocitetit nga qeveria kosovare.
Sipas një njoftimi nga Peter Stano, zëdhënës i Komisionit të BE-së, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell, i ka ftuar dy liderët në Bruksel./Insajderi.com