Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se në momentin që largohen të gjitha barrikadat në veri atëherë do të shtyhet zbatimi i vendimeve të Qeverisë për targat dhe dokumentet.
Në një konferencë për media, Kurti ka thënë se heqje të barrikadave e quan atëherë kur nuk mbetë asnjë prej tyre në veri.
“Qeveria e Kosovës e përsërite zotimin që në momentin që hiqen barrikadat në veri dhe vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët atje do të shtyhet zbatimi i dy vendimeve të qeverisë për datën 1 shtator 2022. Janë gjithsej nëntë barrikada në veri të Kosovës dhe presim që gjatë ditës së sotme të hiqen që të gjitha. Barrikadat janë hequr atëherë kur nuk ka ngelur asnjëra prej tyre”, tha Kurti.
Kurti tha se masat e vendosura nga Qeveria e tij janë për ligjshmëri dhe rend demokratik.
“Të gjitha masat tona janë për ligjshmëri dhe rend demokratik për kushtetutshmëri dhe siguri për të gjithë asnjë masë e ndërmarrë nga organet shtetërore të Kosovës nuk bëhet duke u bazuar në identitetin etnik por në bazë të veprimeve dhe sjellëve individuale e grupore të qytetarëve dhe ato duhet të jenë në përputhje me ligjin”.
Tutje, Kurti falënderoj edhe Josep Borrellin dhe ambasadorin Jeff Hovenier në lidhje me situatën e krijuar në veri për angazhimin e tyre në lidhje me këtë çështje.
Po ashtu, Kurti thotë se do të vazhdojë veprimet informuese për qytetarët për zëvendësimin e targave me ato RKS si dhe tha nuk do të lejojnë destabilizimin e Kosovës në asnjë mënyrë.
Ndërsa, ai ftoji faktorët ndërkombëtar që të denojnë agresionin në veri.
“I bëjmë thirrje faktorëve nderkombëtar BE-së dhe NATO-s që të dënojnë dhunën dhe agresionin e bandave kriminale në veri të Kosovës, të cilat janë të nxitura nga Beogradi”.
Kurti, kishte edhe një mesazh për gazetarët që të mos transmetojnë media nga Serbia të cilat janë me dezinformata.
Kujtojmë se gjatë ditës së sotme, kanë filluar të largohen barrikadat në veri të vendit.