Natyra Kuçi nga Partia Socialdemokrate ka deklaruar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurtin ka pranuar që të njolloset lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës vetëm që ta eliminojë ish-presidentin, Hashim Thaçin dhe disa individë të tjerë nga skena politike dhe t’i dërgojë në Gjykatën Speciale në Hagë, transmeton Insajderi.
Sipas saj, është e rëndë që një qeveri, si kjo e Kurtit, që të heqë dorë nga historia e shtetësisë së Kosovës, vetëm për të qenë fillimi e fundi i historisë vetë, pra ta shkruajë historinë siç vetë dëshiron.
“T’i thuash ‘Shko Hashim’ një personi që ka pasë ndikim kyç në luftën e UÇK-së në një gjykatë një etnike e cila është bërë vetëm për tendencë për krimet një etnike që gjoja se kanë ndodhur, një gjykatë speciale e cila është bërë për t’i dhënë hije si një luftë e cila është bërë nga një organizatë terroriste siç shkruan në Gjykatën Speciale, t’i thotë kreu i qeverisë një personi që e ka udhëheq luftën e Kosovës shko në atë gjykatë i bie që ai po heq dorë edhe nga përpjekja çlirimtare të Kosovës vetëm për ta mundur Hashim Thaçin”, ka theksuar ajo në Klan Kosova.
“Ne si PSD kemi qenë më të zëshmit kundër qeverisjes së Hashim Thaçit dhe qeverisjes së pasluftës. Nuk e gjen asnjë individ që nuk është angazhuar, burgosur dhe sakrifikuar në mënyrë që dënimi politik për udhëheqjen e pasluftës t’iu bëhet këtyre njerëzve. Mirëpo, të shkosh aq larg sa të duash që këta të burgosen dhe UÇK-ja dhe lufta për çlirim të njolloset vetëm për t’i çuar në Gjykatë Speciale dhe për t’i eliminuar nga skena politike disa individë nuk ka asnjë kuptim”, ka shtuar Kuçi./Insajderi.com