Kurti: Marrëdhëniet Kosovë – Maqedoni e Veriut, model i fqinjësisë së mirë

Kurti: Marrëdhëniet Kosovë – Maqedoni e Veriut, model i fqinjësisë së mirë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendësministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka pritur në takim Ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, njofton Insajderi.

Osmani ka uruar Kurtin për fitoren në zgjedhjet e 14 shkurtit dhe për procesin zgjedhor demokratik dhe institucionet e reja të dala nga ky proces.

Gjatë takimit u vlerësuan marrëdhëniet mes Republikës së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, si model i fqinjësisë së mirë.

Kryeministri Kurti dhe ministri Osmani biseduan për veprime konkrete dhe koordinim më të mirë mes dy qeverive, për të lehtësuar transportin rrugor dhe qarkullimin e mallrave.

Po ashtu, ata u dakorduan lidhur me hapat e mëtejmë rreth organizimit të mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, ku do të nënshkruhen një sërë marrëveshjesh mes të dy shteteve.

Temë e takimit ishte edhe çështja e integrimit evropian, ku kryediplomati konfirmoi mbështetjen e vazhdueshme të Maqedonisë së Veriut për Kosovën në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s. /Insajderi.com