Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se vazhdon të jetë i mendimit se marrëveshja që ish presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka arritur me NATO-n është e dëmshme për Kosovën, shkruan Insajderi.
Kurti, këtë deklaratë e bëri pasi u pyet nga deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës , Fadil Nura, për qëndrimin që ka tani si kryeministër për marrëveshjen që ai e kishte konsideruar të fsheht në mes të Kosovës dhe NATO-s.
“Marrëveshja në fjalë ka qenë dhe vazhdon të mbetet e dëmshme për interesat e Kosovës. Unë qëndroj prapa asaj që kam deklaruar. Unë nuk kam akuzuar sekretarin e NATO-së, për shkëmbimin e letrave, dhe nuk mund të kërkojë llogari prej tij, por kam akuzuar titullarin e atëhershëm te institucioneve të Kosovës që ka vënë nënshkrimin në një marrëveshje të tillë”, deklaroi Kurti në Kuvend.
Kryeministri theksoi se “kjo është një e keqe e madhe që nuk mund të rregullohet me një takim”.
“Unë u përgjigja që kjo është një marrëveshje e dëmshme që e kemi trashëguar si shumë fakte të mëhershme. Nuk mund ta rregullojë një të keqe të madhe me një takim të vetëm të parë. Më 19 prill 2013 ka nënshkruar ish-kryeministri i Kosovës me ish—kryeministrin e Serbisë në 15 pika, gjashtë prej të cilave i referohen Zajednicës. Aty janë rrënjët e së keqes. Aty kanë qenë dy marrëveshje. Një që është bërë me BE-në dhe një me NATO-n e që nuk është sjellë kurrë në Kuvendin e Kosovës as për ratifikim”, ka thënë Kurti./Insajderi.com