Kurti: Me Brukselin mund të hapim tema, por jo me Serbinë

Kurti: Me Brukselin mund të hapim tema, por jo me Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurit, deklaroi të mërkurën se Kosova mund të hapë tema diskutimi me Brukselin, por jo edhe me Serbinë.

Në raport me këtë të fundit, tha se Kosova ka dhënë propozimet e saj, të cilat nuk janë pranuar.

Ndërsa, shtoi se çështja e të pagjeturve dhe të zhdukurve me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë, është tema e vetme që nuk pret në dialogun Kosovë-Serbi.

“Ka vetëm një temë që nuk pret, është tema e të pagjeturve dhe për këtë me siguri se do të bisedohet në Bruksel, ndërsa për çështjet e tjera ne kemi thënë propozimet tona, të cilat për fat të keq nuk janë pranuar. Me Brukselin mund të hapim tema diskutimi, por jo edhe me Serbinë”, u shpreh shefi i ekzekutivit para mediave, pas takimit që zhvilloi në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës.

Ai theksoi se takimet e dy ditëve të fundit të ekipeve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel janë takime përgatitore për dialogun që “do të ketë kapitull të ri”.

Ndërsa, ndërmjetësuesi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, tha të mërkurën se megjithë takimet e zhvilluara në dy ditët e fundit, palët ende mbesin larg sa i përket pozicioneve./Insajderi.com