Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka refuzuar të komentojë para takimit me të dërguarin e posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Para mediave, shefi i qeverisë tha të hënën se pas takimit me dy emisarët do t’i shpalosë mendimet dhe qëndrimet e tyre.
Mes tjerash, Kurti u shpreh se me Escobarin nuk është takuar asnjëherë, por vetëm ka biseduar në telefon.
“Sot do ta kem takimin e parë me të dhe përfaqësuesin e posaçëm e BE-së. Besoj se pas takimit është më e drejtë dhe më e mirë të japim qëndrimet dhe mendimet tona”, tha ai.
Kurti foli edhe për situatën me energjinë në të cilën gjendet Kosova. Sipas tij ky është problem i trashëguar nga qeveritë e kaluara.
Ai tha se nuk është e mundshme që të mos ketë as subvencione, as shtrenjtime dhe as shkyçje.
“Besoj që deri në orën 16:00 sot do të ketë mjaftueshëm komente te Zyra e Rregullatorit të Energjisë në mënyrë që të gjendet zgjidhja më e mirë e mundshme. Nuk është e mundur që të mos kemi as subvencion as shtrenjtim e as shkyçje”.
“E ritheksoj se raporti i ZRRE-së nuk është merre ose leje nuk është final e as fatal, ai pret komentet që do të dorëzohen sot e më pas presim vendim meritor”.
Këto deklarata Kurti i bëri të hënën para mediave, pas homazheve në sheshin e Dëshmorëve në Podujevë./Insajderi.com