Kurti: Me Escobarin sot takohem për herë të parë, pas takimit i japim qëndrimet tona

Kurti: Me Escobarin sot takohem për herë të parë, pas takimit i japim qëndrimet tona

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka refuzuar të komentojë para takimit me të dërguarin e posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Para mediave, shefi i qeverisë tha të hënën se pas takimit me dy emisarët do t’i shpalosë mendimet dhe qëndrimet e tyre.

Mes tjerash, Kurti u shpreh se me Escobarin nuk është takuar asnjëherë, por vetëm ka biseduar në telefon.

“Unë me përfaqësuesin e posaçëm e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, z.Escobar, takohem sot për herë të parë. Kam biseduar dy herë në telefon me të, por nuk jam takuar deri tash”.

“Sot do ta kem takimin e parë me të dhe përfaqësuesin e posaçëm e BE-së. Besoj se pas takimit është më e drejtë dhe më e mirë të japim qëndrimet dhe mendimet tona”, tha ai.

Kurti foli edhe për situatën me energjinë në të cilën gjendet Kosova. Sipas tij ky është problem i trashëguar nga qeveritë e kaluara.

Ai tha se nuk është e mundshme që të mos ketë as subvencione, as shtrenjtime dhe as shkyçje.

“Besoj që deri në orën 16:00 sot do të ketë mjaftueshëm komente te Zyra e Rregullatorit të Energjisë në mënyrë që të gjendet zgjidhja më e mirë e mundshme. Nuk është e mundur që të mos kemi as subvencion as shtrenjtim e as shkyçje”.

“E ritheksoj se raporti i ZRRE-së nuk është merre ose leje nuk është final e as fatal, ai pret komentet që do të dorëzohen sot e më pas presim vendim meritor”.

Këto deklarata Kurti i bëri të hënën para mediave, pas homazheve në sheshin e Dëshmorëve në Podujevë./Insajderi.com