Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi të premten se në kohën kur ka ardhur në pushtet, Ministrinë e Bujqësisë e ka gjetur me 40 milionë euro obligime financiare ndaj fermerëve në kategorinë e subvencioneve.
Në një konferencë të përbashkët me ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, kreu i ekzekutivit ka premtuar se vitin 2022 do ta nisin me zero obligime financiare karshi fermerëve.
Para mediave, ka bërë të ditur se kanë hartuar një strategji për zhvillimin e bujqësisë për vitet 2021-2027 dhe atë të pylltarisë për vitet 2021-2031.
“Kur e kemi marr detyrën me 23 mars këtu kemi gjetur 40 milionë euro obligime. Me buxhetin e ri po e fillojmë me zero obligime financiare karshi fermerëve”.
“Adresimi ka ndodhur gjatë këtij viti. . Me buxhetin e vitit 2022 do ta fillojmë me zero obligime financiare ndaj fermerëve, edhe për 11 milionë buxhet shtesë për ta”, ka thënë Kurti.
Kryeministri po ashtu ka bërë të ditur se ka diskutuar me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, për të mbajtur një mbledhje këtë të premten pasdite për të miratuar buxhetin për vitin 2022.
Ka pohuar se buxheti për vitin e ardhshëm do të jetë rreth 9 për qind më i lartë se ai i këtij viti.
“Sot kam pasur takim me ministrin Hekuran Murati dhe kemi diskutuar që ta bëjmë sot pasdite një mbledhje të Qeverisë që të aprovohet buxhetit për vitin e ardhshëm, por krahasuar me rishikimin e vitit aktual, mund të them se buxheti për vitin 2022 do të jetë 9 për qind më i lartë se viti aktual”, ka thënë Kurti./Insajderi.com