Albin Kurti, ish kryeministri i Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka deklaruar se ia arriti ta ndalë sipas tij “gjakderdhjen financiare” në ndërmarrjet publike të Kosovës, duke shkaktuar zyrtarë që keq-menaxhonin me pozitat e tyre.
Albin Kurti, kryeministri me qeverisjen më jetëshkurtër në historinë e pasluftës në Kosovë, i ka rikujtuar katër muajt e tij të qeverisjes përmes llogarisë së tij në Facebook, duke thënë se gjatë mandatit të tij ngulmoi në sundimin e ligjit dhe qoi përpara zhvillimin ekonomik të vendit.
Në statusin e tij në rrjetin social Facebook, Kurti shkruan se gjatë qeverisjes së tij u bënë ndërhyrje për të luftuar korrupsionin në 10-të ndërmarrje publike të Kosovës.
“Gjatë katër muajve të qeverisjes në Republikën e Kosovës, Lëvizja VETËVENDOSJE! punoi veçanërisht për sundimin e ligjit dhe për zhvillimin ekonomik të vendit. Gjatë qeverisjes sonë, ne ndërhymë në 10 ndërmarrje publike, duke shkarkuar bordet e drejtorëve, që kishin shkelur detyrat e besuara dhe kishin sjellë ndërmarrjet buzë greminës”, shkruan Kurti.
Duke e cilësuar administrimin e deritanishëm në këto ndërmarrje si “gjakderdhje financiare”, përmes këtij deklarimi virtual, ai zotohet se bordet që i emëroi do ta luftojnë “të keqen” në ndërmarrjet publike të vendit.
“Në vend të tyre emëruam borde të përkohshme, që mund të shërbejnë deri në 6 muaj. Misioni i tyre ishte i qartë: të ndalin gjakderdhjen financiare dhe t’i hapin shteg rimëkëmbjes e zhvillimit”.
Tutje ai thekson se gjatë mandatit të tij të shkurtër qeverisës, arriti që të ndryshojë formën e administrimit, dhe thekson se nuk do të lejojë më asnjë formë keqadministrimi.
“Qeverisja jonë ka vendosur standarde të larta të administrimit të ndërmarrjeve publike. Ne nuk do të lejojmë që këto standarde të rrënohen lehtë.
Tani për tani, si rrjedhojë e qeverisjes së tij mbeten të hapura katër konkurse për zyrtarë të lartë në ndërmarrjet publike të Korporatës Energjetike të Kosovës, të Telekomit të Kosovës, Postës së Kosovës dhe KRU Prishtinës.
Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje, u pasua nga Avdullah Hoti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, që u bë kryeministër me 3 Maj të këtij viti, duke marrë 61 vota të përfaqësuesve të popullit në Kuvend. Ai erdhi në pozitën e udhëheqësit të ekzekutivit, pasi Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, me dekret presidencial kërkoi emërimin e një mandatari të ri, meqë Kurti u shkarkua me mocion mos-besimi vetëm 50-të ditë pas ardhjes në pushtet. /Insajderi.com