Kurti: Ndërkombëtarët nuk e kundërshtojnë qeverisjen e Vetëvendosjes

Kurti: Ndërkombëtarët nuk e kundërshtojnë qeverisjen e Vetëvendosjes

Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, është regjistruar sot si deputet për legjislaturën e re.

Në një prononcim për gazetarë, Kurti ka treguar për takimet e tij me ambasadorët e huaj që janë në Kosovë.

“Në njërën anë diskutohen sfidat e seancës konstituive, ndërkaq në anën tjetër diskutohen qëndrimet dhe idetë e Vetëvendosjes atëherë kur ne do të jemi në qeveri e që konsistojnë me 40 prioritetet e Republikës, përkatësisht në zhvillimin ekonomik”, ka thënë Kurti para gazetarëve.

Gjithashtu ai ka thënë se nuk ka asnjë kriter shtesë për Lëvizjen Vetëvendosje ashtu siç ka pasur në vitin 2014.

“Të gjithë do të trajtohemi në mënyrë të barabartë dhe kushdo që e formon shumicën parlamentare prej 61 deputetëve do të përkrahet dhe do të ndihmohet nga faktorët ndërkombëtar, e po ashtu nuk ka kundërshtim për qeverinë Vetëvendosje”, ka shtuar ai.

Ndër tjera, Kurti është pyetur edhe për takimet e tij me koalcionin LAA, për të cilët ka thënë se janë zhvilluar takime, por sipas tij, nuk kanë qenë të mjaftueshme.

“Është i mundshëm një dakordim programor në mënyrë që shtetin e Kosovës ta çojmë përpara ekonomikisht”, ka thënë Kurti./Insajderi.com