Kurti në Bruksel do t’i kërkojë Vuçiqit hapjen e arkivave për zbardhjen e fatit të të pagjeturve

Kurti në Bruksel do t’i kërkojë Vuçiqit hapjen e arkivave për zbardhjen e fatit të të pagjeturve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do t’i kërkojë presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, hapjen e arkivave për krimet e kryera në Kosovë në mënyrë që të zbardhet fati i të pagjeturve, në takimin e Brukselit që pritet të mbahet këtë muaj.

Kështu ka lënë të kuptohet Lëvizja Vetëvendosje në një postim të bërë në faqen zyrtare në Facebook.

Një mijë e 639 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur në Kosovë.

“Serbia ka arkiv sepse krimet janë kryer nga shteti serb, andaj edhe do të duhej t’i hapë ato dhe ta ndajë informacionin e nevojshëm për zbardhjen e fatit të të pagjeturve. Kjo do t’iu jepte qetësi familjarëve dhe gjithë shoqërisë që tash e më shumë se dy dekada pret të dijë për fatin e tyre. Qeveria jonë do të vazhdojë ta kërkojë hapjen e arkivit dhe do ta shtyjë këtë çështje në secilën qendër të rëndësishme evropiane dhe tej oqeanike”, thuhet në njoftim.

Gazeta Online Insajderi kontakoi me zëdhënësin e VV-së, Arlind Manxhuka, por i njëjti nuk dha më shumë detaje veçse tha se njoftimi është bazuar në fjalimin e kryeministrit Kurti, në takimin me Martin Schuepp, drejtorin rajonal për Europën dhe Azinë qëndrore në Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq.

“Statusi i është referuar fjalimit të kryeministrit Albin Kurti dhe është e vërtetë që hapja e arkivave do të jetë kërkesë ndaj Serbisë në takimin e Brukselit”./Insajderi.com