Kurti në Bruksel: Qeveria e përkushtuar të përmirësojë efiçiencën e energjisë

Kurti në Bruksel: Qeveria e përkushtuar të përmirësojë efiçiencën e energjisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se do t’iu ofrohet mbështetje bizneseve që promovojnë efiçiencën e energjisë dhe ruajnë ambientin, njofton Insajderi.

“Kryeministri Kurti shprehu përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës që të përmirësojë efiçiencën e energjisë dhe të diversifikojë energjinë, si dhe lëvizjen drejt një ekonomie të gjelbër, duke u siguruar që vendimet tona janë të informuara mirë dhe realiste”, thuhet në njoftimin nga zyra e Kryeministrit.

Kurti së bashku me zëvendëskryeministrin për Integrim Evropian, Besnik Bislimi dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla gjatë kësaj vizite në Bruksel, është pritur në takim nga Kadri Simson, Komisionere e Bashkimit Evropian për Energji.

Tutje në njoftim thuhet se kjo është çështje kapitale për të cilën kryeministri Kurti ka pohuar se kërkon konsensus të gjerë shoqëror.

Kurti ka informuar komisioneren Simson me Planin Kombëtar për Energji dhe Klimë, planet për rishikimin e politikave në energji sipas direktivave të Bashkimit Evropian.

Ndryshe, Kosova është pjesë e bashkëpunimit rajonal në sektorin e energjisë për të cilin Kurti tha se duhet të bazohet në parimet e barazisë dhe gjithëpërfshirjes. /Insajderi.com