Kryeministri Albin Kurti gjatë qëndrimit në Greqi ka kërkuar që ky shtet t’i bashkohet vendeve që e kanë njohur Kosovën, shkruan Insajderi.
Njohja e shtetit tonë, bashkëpunimi në rajon dhe përfshirja sa më e shpejtë e rajonit në Bashkimin Evropian, është rruga e duhur drejt paqes, stabilitetit dhe sigurisë afatgjate, tha Kurti, në ditën e dytë të edicionit të 25-të të tryezës së organizuar nga magazina prestigjioze britanike “The Economist”, në bashkëpunim me qeverinë greke, njofton Kryeministria.
Kurti foli edhe për menaxhimin pandemisë gjatë dy qeverive të udhëhequra nga ai, reformat në drejtësi, bashkëpunimin rajonal dhe integrimin ekonomik të Ballkanit Perëndimor.
“Kultura e re që kemi sjellë me qeverisjen e mirë, ku korrupsioni nuk do të tolerohet, tashmë po aplikohet në praktikë. Ne duam të vazhdojmë me procesin e vettingut, që do ta bëjë më aktive prokurorinë tonë dhe më efikase gjyqësinë tonë”, teksa ka përmendur propozimin për SEFTA-n.Kosova tashmë ka propozuar një kornizë të re të bashkëpunimit, të quajtur SEFTA (Marrëveshja për Tregti të Lirë e Evropës Juglindore), e cila do të përfshinte të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, si anëtare të barabarta dhe si e tillë do të bazohej në një marrëdhënie të veçantë me Bashkimin Evropian, sipas modelit EFTA-EEA”, thuhet në njoftim.
Në panel ishin edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ish-presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviq, presidentja e Rrjetit për Reformë në Greqi “Diktio” dhe ish-komisionerja evropiane për Punësim dhe Çështje Sociale, Anna Diamantopoulou, dhe deputeti i Parlamentit Helen dhe ish-ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, George Katrougkalos./Insajderi.com